Saturday, January 19, 2013

Iluzione Pasagjere - Poezi te zgjedhura romantike

Nga pjesa e parë:

-- Sy muzikorë shumëngjyrësh --

"Mirëmëngjes"
U thashë syve muzikorë
Por ato panë nga një tjetër anë
Dhe unë nuk dëgjova muzikën e tyre

Në këtë turmë të vogël ritmesh
Notat luajnë në sy shumëngjyrësh
Duke shkuar kudo ku u intereson
Por unë nuk i pashë ngjyrat e tyre

Sytë e mi panë përmes interesash me ngjyra
Të njëjtat gjëra si çdo njeri -
"Mirëmëngjes" më tha mua muzika
Dhe unë e pashë me sy shumëngjyrësh


Nga pjesa e dytë:

-- Si luledielli --

Nëse do prisje petalet e lulediellit
Që ke vënë mbi tavolinën e zyrës tënde
A thua distanca që do formonin
Do ishte sa distanca e pak metrave
Midis nesh kur dalim nga stacioni
Apo sa distanca midis vagonave të trenit
(ne s'hyjmë asnjëherë në të njëjtin vagon)
Apo sa distanca midis zyrave tona?

Kur jashtë ka re dhe bie shi
Flokët e tua ngjyrë dielli
A e bëjnë lulediellin
Të kthehet nga ana jote?

* * *

Kam dëgjuar të thonë
Se distanca midis dy njerëzve
Para se të bëhen miq
Është thjesht një përshëndetje

Por në këtë rast, pyes veten
Nëse unë do hidhja petale
Në distancën e zero fjalëve
Në distancën e vagonave
Në distancën midis zyrave
Në distancën midis nesh
A do ktheheshe nga unë
Si luledielli?


Nga pjesa e tretë:


-- I dhashë dorën --

I dhashë dorën një doreze të hekurt
    në një derë të vjetër
por ajo ishte e ftohtë

I dhashë dorën një mënge të ngrohtë
    bluzeje të leshtë
    që varej në tel
por ajo ishte bosh

I dhashë dorën një byzylyku
    në vitrinën e një dyqani
por më kërkoi lekë të paguaja për të

I dhashë dorën një dorashke
I dhashë dorën një doreze sirtari
    ...
    por përgjigjet nuk ishin më ndryshe

Të fola për përpjekjet e mia
    dhe të kërkova thjesht
të më jepje dorën...

Komente:

Meqë Shën Valentini është afër...
Poezi të zgjedhura nga Iluzione Pasagjere
Shpresoj t'ju pëlqejnë!

No comments:

Post a Comment